BRUKSEL - Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do diskutojnë nesër (e martë) në takimin e tyre të radhës në Bruksel mbi vendimin, që do të marrë Këshilli Europian për t'i dhënë ose jo Statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Ministrat e Jashtëm dhe të Çështjeve Europiane mblidhen sot paradite ndërsa janë liderët e BE-së ata që do të marrin vendimin përfundimtar në samitin e 19 dhjetorit.
Në takim do të shqyrtohet propozimi pozitiv, i bërë nga Komisioni Europian këtë tetor për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Pas dy refuzimesh në 2010 dhe 2011, KE i ofroi Shqipërisë tentativën e parë vitin e kaluar, duke i ofruar statusin kandidat me kusht, çka nuk u përmbush dot nga klasa politike shqiptare. Por zgjedhjet e verës së kaluar që plotësuan në masë të madhe standartet ndërkombëtare u vlerësuan pozitivisht nga BE, çka u vu re dhe në progres raportin e këtij viti ku vlerësohej gjithashtu progresi i arritur në disa reforma kyçe.