TIRANE- Sektori i peshkimit dhe industria përpunuese që lidhet me këto produkte, do të kenë subvencionime të posaçme dhe stimulim ekonomik në vitet në vijim me qëllim zhvillimin e kapaciteve të tij.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, gjatë një takimi që pati sot me grupet e interesit të këtij sektori, premtoi rikonstruktimin e porteve të peshkimit, subvencionim të karburantit, si dhe standarde më të larta në tregtimin e peshkut në vend dhe jashtë tij.
"Politikat tona kanë në fokus të veçantë këtë sektor me potenciale të mëdha ekonomike si për punësimin e njerëzve dhe rritjen e eksporteve. Vëmendje të veçanë do të marrë rinovimi i porteve të peshkimit, furnizimi i tyre me naftë me çmim më të lirë se tregu, rritja e kapaciteteve të përpunimit të peshkut dhe krijimi i infrastrukturës së nevojshme për anijet e peshkimit. Në sfidat tona për rimëkëmbjen e këtij sektori, tha ministri, është mbrojtja dhe ruajtja e lagunave nga shfrytëzimi pa kriter, ndërsa vëmendje të madhe do të marrë shfrytëzimi i potencialeve të prodhimit të molusqeve në Liqenin e Butrintit", tha ministri Panariti.
Përfaqësuesit e bizneseve të përpunimit të peshkut në vend, kërkuan nga qeveria që të bëjë më tepër në lidhje me mbrojtjen e ujërave shqiptare, si dhe në stabilitetin me konkurrencën e pandershme.
Sektori i përpunimit të peshkut në Shqipëri ka sot të punësuar rreth 2000 punonjës dhe një pjesë e këtyre produkeve eksportohen edhe në vendet e BE-së.