Protestat e studentëve në Prishtinë kanë arritur pikën më kritike sot, në ditën e nëntë që nga fillimi i tyre. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, por turma është rikthyer pas shpërndarjes së tymit.
Përleshjet sistematike me policinë kanë lënë të lënduar disa studentë dhe punonjës policie, ndërsa janë arrestuar dhjetëra studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Të gjithë protestuesit që kanë tentuar tejkalimin e gardhit dhe hyrjen në oborrin e rektoratit, janë tërhequr zvarrë nga policia. Është arrestuar edhe Ilir Deda, aktivist i shoqërisë civile dhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Ylli Hoxha. Policia, e cila mbronte rektoratin, është gjuajtur me qumësht, vezë, letra tualeti dhe ngjyrë të kuqe. Protesta e studentëve po popullohet çdo ditë e më shumë, ndërsa mbeten kërkesat e tyre për dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi, fillimin e hetimeve për keqpërdorime në Universitetin e Prishtinës, përmirësimin e infrastrukturës dhe largimin e ndikimit të pushtetit mbi universitet.
Ndërkohë që para Rektoratit vazhdon protesta, në Parlament seanca e jashtëzakonshme ka përfunduar ende pa filluar. Në Seancë pritej miratimi i rekomandimeve të LDK-së opozitare rreth gjendjes së Universitetit. Seanca është ndërprerë për mungesë kuorumi, pasi deputetët e pozitës braktisën sallën. Ndër rekomandimet e LDK-së ishte edhe shkarkimi i rektorit Ibrahim Gashi dhe i Këshillit Drejtues. Benjamin Arifi