TIRANE - Përplasje mes policisë dhe shoqërisë civile janë shënuar në protestën kundër ndërtimit të parkut të lojërave tek Liqeni Artificial. Protestuesit kanë tentuar të futen brenda rrethimit të ndërtimit për të montuar çadrat e për të penguar vijimin e punimeve.
Një pjesë e shoqërisë civile është futur me forcë brenda rrethimit, por policia i ka ndaluar kalimin e çadrave dhe të lopatave me të cilat protestuesit do të mbillnin pemë. Një përleshje masive është krijuar kur protestuesit jashtë gardhit kanë hedhur brenda rrethimit çadrat..policia ndërhyri menjëherë duke nxjerrë jashtë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që kishin kapërcyer rrethimin.
Për të shmangur përshkallëzimin e incidenteve policia shoqëroi disa nga protestuesit, por edhe ky veprim u prit me revoltë nga ana e shoqërisë civile. Ata bllokuan furgonin e policisë duke mos lejuar mbylljen e derës. Në këtë moment, i cili mbetet ende i paqartë se si ka ndodhur, një efektivi të policisë bashkiake i ka rënë të fikët.
Po ashtu, në tentativë për të penguar largimin e furgonit me protestuesit e shoqëruar, një tjetër aktivisti i ka rënë të fikët. Polici dhe protestuesi janë dërguar për mjekim në QSUT ku mësohet se aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Shoqëria civile vijon të qëndrojë jashtë rrethimit ku zhvillohen punimet për ndërtimin e parkut të lojërave.