Ahmeti: Nuk lëshojmë pe për kandidatin konsensual

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

BDI-ja nuk do të lëviz asnjë milimetër nga ideja e saj për kandidat konsensual. Lideri i saj Ali Ahmeti deklaroi se qëllimi i BDI-së është që t'i jep fund praktikës së deritanishme të presidentëve të njëanshëm të partive maqedonase, të cilët nuk përfaqësonin dhe nuk gëzonin vullnetin e shqiptarëve! Ahmeti tha se ende po pret që partitë politike, e sidomos VMRO-ja si përfaqësuese legjitime e maqedonasve, të reflektojë rreth idesë për kandidatin konsensual.

"Ne e kemi hedhur idenë. Ideja ende është në tavolinë. Ne nuk do të bëjmë asnjë luhatje, asnjë lëvizje nga ideja jonë dhe presim që palët të reflektojnë. Vendit i duhet kandidat i pranueshëm për të gjithë. Njëherë e përgjithmonë, do të mbyllim një kapitull, që njëra palë gjithmonë kontestonte zgjedhjen e presidentit", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë, BDI-ja do të marrë vendim përfundimtar rreth alternativave në rast të refuzimit të ofertës për kandidat konsensual. Mospjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale është përgjigjja më e mundshme e BDI-së, me të cilën ajo synon të zhvesh legjitimitetin e presidentit të njëanshëm të partive maqedonase. Gjithnjë i hapur mbetet edhe opsioni i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast se lëvizjet e partive qeverisëse për zgjedhjet presidenciale, komplikojnë marrëdhëniet e koalicionit. Ndërkohë edhe sot zyrtarët e VMRO DPMNE-së kanë dhënë sinjale të qarta se kandidati për president do të jetë vendim i brendshëm i delegatëve të VMRO-së.

"VMRO DPMNE-ja, që nga themelimi i saj, në këtë mënyrë e zgjedh kandidatin për president, kështu që mbetet që ajo që kemi thënë deri tani", u shpreh Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.

VMRO-ja është shprehur se po i shqyrton seriozisht paralajmërimet e BDI-së për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Nga ana tjetër, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Riçard Houit theksoi se vendimi për zgjedhjet e parakohshme është çështje e brendshme liderëve politikë.

"Nuk më takon mua, ose BE-së të komentojë afatin e mundshëm të mbajtjes së zgjedhjeve. Është përgjegjësi e politikanëve të vendit. Nuk do të përfshihemi në vendimin për zgjedhjet", tha Riçard Houit, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.

Partitë politike duhet që më së voni, më 13 mars, të dorëzojnë kandidaturat për zgjedhjet presidenciale. Nëse BDI-ja vendos të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 27 prill, duhet që Kuvendi të vetë-shpërndahet më së voni më 3 mars. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form