TIRANE- Situata në sistemin shqiptar të riedukimit paraqitet mjaftë e rëndë, përsa i përket trajtimit të të dënuarve në burgje. Privimi nga shumë të drejta, diskriminim, dhunë psikike dhe fizike, e deri te mostrajtim shëndetësor, janë raste shumë të shpeshta që hasen në qelitë e burgjeve. Disa raste konkrete diskriminimi, janë evidentuar nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve.
Vjollca Meçe, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, solli përpara deputetëve të Komisionit parlamentar të Ligjeve konstatime të rasteve ku të dënuarit privohen nga lejet, pasi nuk paguajnë drejtuesit e burgjeve.
Duke folur mbi propozimet që duhen bërë për përmirësimin e ligjit "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve", Meçe përmendi edhe rastet kur të dënuarve nuk u jepet as trajtimi shëndetësor kur kanë probleme.
Propozimet e sjella nga shoqëria civile dhe qeveria, synojnë krijimin e një shërbimi policor të qëndrueshëm të burgjeve, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe të të burgosurve, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së.