Dega e PDSH-së në Strugë vazhdon të kundërshtojë listën e kandidatëve për deputetë për njësinë zgjedhore numër 5. Në shenjë proteste, përfaqësues të kësaj dege nuk morën pjesë në konventën e mbrëmshme të partisë që u mbajt në Tetovë, ndërsa kryetari i komunës së Strugës Ziadin Sela udhëtoi për vinë një vizitë zyrtare në Turqi. Kryetari i degës së PDSH-së në Strugë Lavdrim Elmazi në një deklaratë për Alsat, theksoi i qëndron besnik kërkesës për të rishqyrtuar listën e kandidatëve për deputetë për rajonin e Strugës. Vendimi final rreth hapave të mëtejshëm do të merren brenda javës.
"Dega e Strugës i qëndron besnik kërkesës së saj që ia ka drejtuar kuvendit të kryesisë qendrore të PDSH-së për ta rishikuar listën. Ndërkaq qëndrimi jonë zyrtar do të jetë pas mbledhjes që do të jetë brenda kësaj jave, pasi të kemi një vendim zyrtar do të ju njoftojmë lidhur me vendimin që do ta marrim", deklaroi Lavdrim Elmazi, Kryetar i Degës së PDSH-së në Strugë.
Megjithatë kreu i PDSH-së Menduh Thaçi në konventën e partisë një ditë më parë, betonoi edhe një herë qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndryshime në listën e kandidatëve. Thaçi madje, i cilësoi si individuale reagimet e degës së Strugës.
"Mburrem me të gjitha kandidaturat e tjetra. E di se ka vërejtje dhe pakënaqësi, patjetër të tejkalohen. Ju them se nuk do të lëshojë pe' për shkak të drejtësisë dhe jo për shkak të forcës", tha Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së.
Përçarjet në PDSH u ndezën për shkak të listës së bartësve në njësinë numër 5, me arsyetimin se bartësi dhe kandidatët nuk janë zgjedhur nga kuvendi i degës së Strugës, por nga kuvendi qendror i partisë, duke shkelur procedurat e zgjedhjes së kandidatëve. Kreu i komunës së Strugës Ziadin Sela ndërkaq theksoi se do të mbështesë vendimin e dalë nga dega, e cila në kërkesën drejtuar Kryesisë Qendrore të PDSH-së, aneksohej se nuk do të mbahej përgjegjëse për rezultatin zgjedhor, nëse kërkesa e saj nuk merresh parasysh. Semra Jakupi