TIRANË- Në ditën Botërore të sindromës Down theksi është vënë në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve ndaj personave të prekur nga kjo sëmundje. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se 1 në 800 lindje në botë rezulton me këtë sindromë ndërsa theksin e vuri tek integrimi i këtyre personave në shoqëri. Deklarata janë bërë në konferencën shkencore në hotel 'Rogner" me temë "Shëndeti dhe Mirëqenia -- Kujdes dhe Barazi për të gjithë".
Ministri i Shëndetësisë tha se, "gjithë ekspertët bien dakord në një pikë të vetme: në rast të një trajtimi të kujdesshëm shëndetësor, si edhe të një trajtimi terapeutik, individët me këtë sindromë mund të arrijnë të gëzojnë një jetë të gjatë, të pavarur dhe të shëndetshme e t'i shërbejnë komunitetit si çdo individ tjetër."
"Sipas Beqajt, pavarësisht nga pengesat e shumta, njerëzit me sindromën Down mund dhe "duhet të jetojnë një jetë të suksesshme dhe të lumtur."
"Në këtë këndvështrim, bashkëpunimi i të gjithë aktorëve përkatës me institucionet shëndetësore, arsimore e sociale në vend është, besoj, një nga format kryesore për realizimin e politikave për mbështetje sociale, edukative, në fushën e të drejtave të njeriut, shëndetësisë dhe edukimit të personave me sindromën Down dhe familjarëve të tyre", tha ai.
Ai shtoi se është detyra e gjithë shoqërisë "të përpiqemi për integrimin e plotë në shoqëri, si dhe për të siguruar cilësi të lartë jetese për personat me sindromën Down në Shqipëri"
Ministria premtori se, "do të ofrojmë më tepër siguri, invovacion e progres, në përmbushjen e qëllimit të përmirësimit të kujdesit shëndetësor."
Konferenca shkencore është organizuar nga organizata "Jonathan Center", përfaqësuese e 'Down Syndrome International' për Shqipërinë, në bashkëpunim me shoqata të tjera në vend me fokus sindromën Down dhe me 'Down Syndrome Kosova'.
Fondacioni i "Sindromes Down" nënshkroi një marrëveshje 3-vjeçare me dy maternitet në Tiranë për konsultë falas dhe 30 për qind zbritje në ekzaminimet diagnostifikuese.