TIRANE- Këtë vit do të finalizohet Strategjia Kombëtare e Sigurisë pjesë e së cilës është edhe rishikimi i strukturës së Forcave të Armatosura.
Gjatë konferencës së NATO-s për Resurset, që zhvillohet sot në Tiranë, Kodheli kërkoi që qeveritë e vendeve të NATO-s t'i kushtojnë vëmendje mbrojtjes aq sa arsimit shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera publike.
"Qeveritë do të duhet të vendosin prioritete në shpenzimin e fondeve publike dhe shpenzimet për buxhetin e mbrojtjes duhet të konkurojnë me shpenzimet për arsimin luftën kundër papunësisë, kujdesit mjekësor si dhe shërbimet e tjera publike.
Ky vit do të shënojë një vit të rëndësishëm për forcat tona të armatosura. Ne do të angazhohemi në finalizimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, përpilimin e Strategjisë Ushtarake, planet e zhvillimit afatgjatë të forcave të armatosura dhe së fundi por jo më pak të rëndësishme, rishikimin e strukturës së forcave të armatosura. Aktualisht ne po zbatojmë një plan përditësimi të paisjeve tona teksa kërkojmë të përftojmë sa më shumë kapacitete nga burimet tona," nënvizoi Kodheli.