TIRANE- Deputetët e Partisë Demokratike raportojnë me radhë tek zyra e Sali Berishës. Burime nga selia blu bënë me dije për gazetën "Shqiptarja.com" se pjesa më e madhe e deputetëve të PD-së, të cilët marrin pjesë vazhdimisht në aktivitete publike, ikin dhe raportojnë tek Berisha për deklaratat që ata bëjnë. Konkretisht bëhet me dije se deputetë si, Majlinda Bregu, Gerti Bogdani, Jozefina Topalli, Albana Vokshi, madje edhe Mesila Doda, kanë vajtur tek zyra e Berishës me urdhër të këtij të fundit.
Doda
Mesila Doda është thirrur për të raportuar tek zyra e Berishës rreth 10 ditë më parë dhe ka vajtur dy herë. Ky urdhër i Berishës është bërë për shkak të deklaratave të fundit të bëra nga Mesila Doda, e cila theksoi, në një intervistë në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" në televizionin "A1 Report", se kreu formal i PD-së, Lulzim Basha nuk po afron në parti mbështetësit e ish-deputetit Sokol Olldashi. Detajet e bisedës ndërmjet Dodës dhe Berishës nuk bëhen me dije, por ajo që thuhet është fakti se ish-kryeministri i ka kërkuar deputetes demokrate që të mos bëjë më deklarata kundër partisë apo kryetarit të saj, Basha.
Basha
Burimet nga Partia Demokratike bënë me dije se edhe vet kryetari i Partisë Demokratike, ka zhvilluar disa takime me Berishën tek zyra e këtij të fundit. Takimi ndërmjet tyre mund të dukej diçka krejt se normale, por fakti që ajo zhvillohet në zyrën e ish-kryetarit të Bashës, duket se nuk lë dyshime për atë se cili është personi që udhëheq punën e PD-së dhe vetë opozitës. Fakti se Berisha shkon në selinë e partisë vetëm kur ka mbledhje grupi apo seancë plenare, tregon se nuk ka ndonjë interes të madh për anët formale dhe duket se kërkon që aktivitetin partiak ta drejtojë nga zyra e tij.
Topalli
Jozefina Topalli është deputetja që shkon më shpesh tek zyra e Sali Berishës, e cila qëndron aty për disa orë dhe më pas largohet. Vizitat e saj janë përgjithësisht në mesditë. Kjo vizitë ndërmjet Berishës dhe Topallit duket se dëshmon edhe një herë afrimitetin ndërmjet dy politikanëve të cilët pas zgjedhjeve të 23 qershorit kishin shfaqur një konflikt ndërmjet tyre. Kjo gjë konfirmohet edhe më shumë me faktin se edhe në Parlament, dy deputetët janë ulur në krah të njëri-tjetrit.