MEMALIAJ - Kushtet higjeno-sanitare në shkollën 9 vjecare të qytetit të Memaliajt, janë tërësisht jashtë funksionit.
Rehabilitimi i fundit i kryer në tualete, daton 10 vite të shkuara e prej asaj periudhe e deri më sot, pushteti vendor i cili është përgjegjës për mirëmbajtjen e ambjenteve të këtij institucioni, nuk ka vënë dorë.
Të 1400 nxënësit e kësaj shkolle, në kushtet e mungesës së pastërtisë dhe normalitetit higjenik që duhet të kenë ambjentet higjeno-sanitare, qëndrojnë larg tualeteve duke mos i frekuentuar. Vetë nxënësit, shprehin objeksionet e tyre për këtë situatë që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh.
"Kushtet hijeno-sanitare në shkollën tonë janë skandaloze. Tualetet thuajse nuk përdoren fare, janë shumë të shkatërruara, dyer dritare nuk përdoren fare. Ne nuk i përdorim fare. Vijmë në orën 8 dhe ikim në orën 13 dhe nuk i përdorim fare." shprehen nxënësit e shkollës.
Me këtë shqetësim, është bashkuar edhe vetë drejtori i shkollës i cili ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme, nga ana e qeverisë lokale apo dhe asaj qëndrore.
"Ne si drejtues kemi kërkuar që tek shkolla jonë të bëhet një rikonstruksion i plotë për arsyen se edhe kushtet higjeno-sanitare lënë për të dëshiruar. Uji në shkolla nuk është i rrjedhshëm ashtu si në të gjithë qytetin tonë." tha Pëllumb Bodeci, drejtor i shkollës 9-vjecare në Memaliaj.
Shkolla 9-vjecare në Memaliaj, është ndërtuar 40 vjet më parë dhe ambjentet e brendshme nuk kanë ndryshuar shumë nga periudha e përurimit.