Edhe kjo e shtunë kryeministrin, Edi Rama, e ka gjetur në zonën e tij elektorale, qytetin bregdetar të Vlorës. Praditen e sotme ai shpërndau tituj pronësie falas, për ata që kanë ngritur shtëpi banimi pa leje. Me besimin se ky proces do të ecë përpara me hapa të shpejtë dhe do t'i japë fund historisë së tmerrshme të zvarritjeve dhe korrupsionit që ka zgjatur për vite me radhë, Kryeministri theksoi se shënohet edhe ndarja përfundimtare mes dy kapitujve.
"Ata që kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë bërë këtë me sakrifica të mëdha, me kursimet e gjakut në emigracion, me kursimet e bukës së gojës këtu, në vend, për të strehuar familjen e tyre, do të legalizohen falas. Dhe ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku "gjej një shesh e bëj një përshesh"Në qarkun e Vlorës janë bërë në vite rreth 25 mijë vetdeklarime dhe janë dhënë lejet e legalizimit për vetëm 2700 ndërtime. Ndërkohë qeveria e mëparshme, në 8 vjet, në rang vendi ka realizuar legalizime në masën 5-6 %, ndërsa në Vlorë ka legalizuar në masën 12 %, shumica dërmuese e të cilave janë legalizime problematike"tha Rama.
Kryeministri u ndal tek abuzimet e bëra me këtë proçes në Qarkun Vlorë.
"Është bërë një abuzim i tmerrshëm nga ana e strukturave të ALUIZNI-t të deridjeshëm, duke legalizuar vetëm për qëllim fitimi dhe korrupsioni. Janë legalizuar godina në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizoheshin, të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdet, të ndërtuara duke iu marrë qytetarëve pjesët më të bukura të Vlorës dhe duke i marrë Vlorës fytyrën dhe ajrin. Janë legalizuar shtesa pallatesh apo ndërtime të tëra që nuk janë ndërtuar për të strehuar familjen, nuk janë ndërtuar as me paratë e kursyera nga buka e gojës, por janë ndërtuar për qëllime fitimi, për shitje, për tregti dhe për përfitime. Kjo është realisht një faqe e turpshme e një pushteti që kudo ku mundi rrënoi për të përfituar dhe përfitoi duke rrënuar", nënvizoi Rama.
Shefi i qeverisë, theksoi më tej se përmes legalizimit falas, po synohet edhe ndërgjegjësimi i familjeve për të kryer pagesën e energjisë elektrike.
"Ndërkohë, me anë të këtij procesi legalizimi falas, po synohet edhe ndërgjegjësimi i familjeve për të kryer pagesën e energjisë elektrike. Për ata që do të paguajnë, do të bëjmë edhe një ulje tjetër, që është një ulje prej 400 mijë lekë nga 4 milionët. Kush do paguajë menjëherë, do të ketë edhe një 400 mijë lekë që nuk do ta paguajë, por do ta ketë në hipotekë, si kufizim dhe do ta përdorë për të paguar energjinë elektrike. Dhe pas 2 vjetësh, mjafton që të tregojë faturat që ka paguar energjinë elektrike dhe e heq edhe këtë detyrim. Kjo, sepse ne nuk duam që për shkak të pamundësisë familjet në nevojë apo familjet që sidoqoftë kanë shpenzuar gjithçka për të bërë shtëpinë edhe janë në gjendje të vështirë, të përfundojnë në ndjekje penale dhe kryefamiljari të përfundojë në burg për vjedhje t...