A1 Report - Naço: Ka gjyqtare te korruptuar Nishani: Te ndeshkohen

Report TV 2015-08-22

Views 0

TIRANE -- Në punimet e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, deklaroi se lufta ndaj korrupsionit në vendin tonë ka bërë progres të kufizuar, dhe se shpesh gjyqtarët përfshihen në praktika korruptive të cilat nuk marrin ndëshkim. Kreu i Drejtësisë tha se institucionet që japin drejtësi në Shqipëri mbeten ende të brishta ndaj korrupsionit, ndërsa theksoi se duhet të rritet më tej efiçenca e sistemit dhe transparenca në gjykata.

Sipas ministrit Naço, klima e mosbesimit që ka përfshirë sistemin e drejtësisë duhet të ndryshohet me reforma.

Ndërkaq, edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i pranishëm në këtë konferencë, pranoi faktin se sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka probleme serioze, ndërsa thekson rëndësinë e vijimit të reformave në këtë fushë. Duke dënuar rastet e abuzimit me detyrën nga gjyqtarë të caktuar, apo të praktikave korruptive në sistem, kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e zbatimit të penaliteteve për abuzuesit.

"Bashkohem me opinionin që sistemi ynë i drejtësisë ka probleme, here pas here serioze. Kemi individë që nga pikëpamja profesionale dhe formimit nuk kanë asnjë lidhje me këtë profesion, dhe ju dëmtojnë të gjithë juve, dhe gjithë sistemin e drejtësisë. Këto raste krijojnë krijimin e një perceptimi të gabuar për sistemin tonë të drejtësisë, pasi në Shqipëri ka gjyqtarë me një nivel të admirueshëm profesional. Dhe këtu qëndron beteja. Duhet të penalizohet aktet korruptive. Janë 4 gjyqtarë të përjashtuar nga sistemi dhe të penalizuar. I kam kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm që të verifikojnë dhe të jenë hetues të thellë të çdo rasti korruptiv. Duhet me forcën e ligjit të godasin çdokënd që dëmton qytetarit dhe njollos gjithë sistemin e drejtësisë", tha Presidenti Nishani.

Ndërkaq, ministri Naço solli në vëmendje kërkesat që ka ngritur për përmirësimin e gjyqësorit, siç është nisma për rishikimin e vlerësimit të gjyqtarëve, përmbyllja e procesit të emërimeve në gjykata administrative, dhe zgjidhja e mosemërimit të magjistratëve.

Mbledhja, e cila pritet të zgjasë deri në orët e pasdites, do të zhvillohet në tre panele ku gjyqtarët e të tre niveleve, të Gjykatës së Shkallës së Parë, gjyqtarë të Apelit dhe Gjykatës së Lartë do të diskutojnë mbi problematikat kryesore të drejtësisë.

Share This Video


Download

  
Report form