FUSHË KRUJË - Rajoni i policisë së Fushë-Krujës është bërë sërish objekt i një sulmi më lëndë eksplozive. Një sasi tritoli ka shpërthyer në derën e komisariatit. Për pasojë, porta është dëmtuar thuasje totalisht, ashtu si edhe automjetet që ndodheshin pranë saj, por pa të lënduar në njerëz. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ndërsa shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale edhe në banesat përreth dhe panik tek banorët.
Sipas të dhënave nga policia, dyshohet se persona ende të paidentifikuar kanë hedhur rreth 200 gr tritol nga një automjet, dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Dyshohet se, lënda eksplozive është hedhur nga mbrapa komisariatit dhe është përplasur në derë duke shpërthyer. Gjatë hetimeve policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të një banke private që ndodhet pranë komisariatit për të bërë të mundur identifikimin e autorëve që kanë hedhur lëndën eksplozive.
Ky është shpërthimi i tretë që ka ndodhur brenda këtyre muajve në komisariatin e Fushë Krujës, ndërsa i teti që nga fillimi i vitit në këtë zonë.