Pasuria e të arrestuarve për rekrutimin e luftëtarëve në Siri, po verifikohet në bazë të ligjit "Antimafia". Nga verifikimi i kryer, janë evidentuar disa llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme në emër të të arrestuarve dhe të afërmëve të tyre.
Ajo që bie në sy, sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për llogarit bankare të imamit të vetëshpallur të xhamisë së fshatit Mëzez, Bujar Hysa.
Nga kontrolli analitik i këtyre llogarive tashmë të sekuestruara, rezulton se Hysa ka bërë shumë transferta të shumave të mëdha parash ndër vite. Lëvizjet më të mëdha të parave, rezulton se i ka bërë gjatë viteve 2005 - 2006, ku ka pranuar dhe tërhequr në disa raste nga llogarit e tij bankare shuma që varionin nga 40 deri 60 mijë euro.
Këto para, sipas dosjes, i dërgoheshin Hysës nga banka jashtë territorit shqiptar, që për arsye hetimi nuk jepen detaje për vendin e origjinës së nisjes. Hetuesit dyshojnë se këto para janë përdorur edhe në investimin dhe ngritjen e xhamisë së fshatit Mëzez dhe atij të Unazës së re. Edhe të dyshuarit Genc Balla i njohur si Shehj Abdurrahim Balla, i janë sekuestruar disa llogari bankare pasi janë pjesë e verifikimit pasuror.
Ndërkohë, në ditët në vazhdim pritet marrja në pyetje e të arrestuarve, për të dhënë shpjegime në lidhje me të gjitha transaksionet e tyre bankare. Hetuesit thonë se hetimi pasuror në bazë të ligjit "Antimafia" do të shtrihet edhe tek të afërmit e tyre.