TIRANE- Të rinjtë e lëvizjes civile "Ta pastrojmë Shqipërinë" në bashkëpunim me agjencinë kombëtare të turizmit kanë nisur sot turin për të pastruar në mënyrë vullnetare qytetet bregdetare. Ndonëse me mjete dhe mundësi modeste, ata janë ambiciozë dhe shpresojnë që më 23 maj, kur në aksion për pastrimin e bregdetit të përfshihet edhe ushtria të bëhen 100 mijë vullnetarë.
Vullnetarët e mjedisit do të udhëtojnë në të gjitha qytetet bregdetare të vendit për të sensibilizuar pushtetin vendor dhe banorët për t'u bërë gati për sezonin turistik.
Ndërsa për të evidentuar pikat e nxehta të mbetjeve ata kanë ideuar edhe një aplikacion "trash out" që shërben si hartë e mbeturinave legale, të evidentuara gjatë aksionit nga të rinjtë vullnetarë, duke e bërë kështu më të lehtë bashkëpunimin për largimin e tyre.