A1 Report - Policia shkarkon 7 zyrtaret per demin 700 mln leke me uniformat

Report TV 2015-08-22

Views 1

TIRANË - Policia e Shtetit ka përjashtuar 7 oficerë dhe funksionarë nga radhët e saj për tenderin e uniformave të vitit 2008. Tenderi ishte denoncuar nga PS-ja në opozitë, por dosja ishte mbyllur nga Prokuroria dhe KLSH-ja.

Të përjashtuarit janë: Ilia Nasi, që së fundmi ishte këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë; Fatbardha Beqiri, Ridvan Dhuli, Zenel Hyka, Robert Gode, Haxhi Bala dhe Feksor Shkurti.

Përjashtimi ndodhi pas auditimit të tenderit të uniformave të policisë, dërguar për ndjekje penale Prokuorisë së Tiranës.

"A1Report!" ka siguruar raportin e auditit, i cili konkludon se vendimet e Qeverisë që kanë miratuar uniformën e re, janë hartuar e zbatuar me mangësi duke i sjellë shtetit një dëm prej 690 953 048 lekësh, përmes shkeljeve ligjore, shpërdorimit të detyrës, tejkalimit të kompetencave, mashtrimit dhe falsifikimit.

Kjo nuk është hera e parë që ngrihen akuza për tenderin e uniformave në Policinë e Shtetit. Partia Socialiste që gjatë kohës që ishte në opozitë denoncoi të njëjtat shkelje në Prokurori. Por të vetmit që nuk kanë gjetur shkelje në këtë tender janë Prokuroria e Tiranës dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Për të njëjtat shkelje, në 22 qershor 2012, Prokuroria e Tiranës njoftoi Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Grupin parlamentar të PS-së për mosfillimin e procedimit, pasi shkeljet kanë qënë formale dhe nuk kanë sjellë ndonjë pasojë.

Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka qenë në të njëjtën valë drite me Prokurorinë kur shprehej se "Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka cilësuar se procedura e prokurimit është në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik dhe nuk ka sjellë ndonjë pasojë."

Kjo nuk është hera e parë që akuzat e auditimeve sfumohen dhe ngelin në zyrat e Prokurorisë për mosregjistrim të hetimeve. Ndërkohë, vonesa në hetimin e parë, i ka veshur me imunitet të akuzuarit nga auditi, pasi sipas nenit 31 të rregullores së disiplinës, atyre nuk mund t'u jepet masë disiplinore nëse shkelja nuk është zbuluar brenda një viti që nga kryerja e saj.

Share This Video


Download

  
Report form