Kukes- Rreth 1 mijë persona janë shpërndarë sot në terren, si dhe përreth brigjeve të liqenit të Fierzës, për të pastruar më shumë se 25 ton mbeturina, të llojeve të ndryshme, të cilat qëndronin në ujërat e liqenit, prej më shumë se një jave.
Prefekti Gjici ka deklaruar se kanë nisur negociatat me palën kosovare për t'u ulur në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të hedhjes së mbeturinave në liqen, si nga komunat e Kosovës ashtu edhe ato të qarkut të Kukësit.
Ai ka shtuar se ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, vijon kontaktet për gjetjen e një zgjidhje të duhur, ndërkohë që Ministria e Mjedisit pritet që të bëhet pjesë e tryezës së bisedimeve së bashku me ministrinë homologe në Kosovë.
Më shumë se 6 grupe pune, u shpërndanë në terren për pastrimin dhe largimin e mbeturinave të cilat do të ndahen në dy grupe, të riciklueshme ose jo.
Ekspertët vlerësuan se ndotja është shumë e madhe dhe sipërfaqja e ndotur, në liqenin e Fierzës, është 25 kilometër katror, nga 81.6 kilometër që është e gjithë sipërfaqja e tij.
Volumi i mbeturinave, që llogaritet të jenë grumbulluar në liqenin e Fierzës, arrin në rreth 120 metër kub.