Testimi ekstern, shumë vërejtje për pyetjet

alsatmtv 2015-08-22

Views 1

Prindërit, mësimdhënësit dhe vetë nxënësit kanë vërejtur gabime dhe paqartësi në pyetjet e testimit ekstern, të publikuara vetëm një javë më parë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas tyre, disa pyetje janë të palogjikshme, disa qesharake dhe shumë të tjera të vështira për t'u zgjidhur në kohën e parashikuar për testim.

"Sivjet kemi disa pyetje, p.sh "si quhet porosia, sinjali nga mjedisi", kjo më duket diçka pyetje e palogjikshme e pakuptueshme për shkencat natyrore, nuk e di për çfarë e kanë fjalën. .... ndaj cilit stimul nuk janë të ndjeshme bimët ose sensitive" ose "çfarë sy kanë insektet", diçka për nxënësit besoj që është e palogjikshme. Përket lëndës së kimisë unë e kam një vërejtje......duhet ti shkojnë më së paku 10 minuta për një detyre, e tash sa do të arrijnë që 30 pyetje t'ju përgjigjen, nuk e di", tha Agim Ramdani, mësues në shkollën fillore "Adem Jashari".

"Në frëngjisht edhe pse kemi mësuar rregullisht, kemi disa pyetje të përgjithshme për jetën e përditshme por ne nuk i kuptojmë, t'i shprehim ndjenjat në gjuhën frënge, t'i shprehim disa gjëra të tjera, nuk i kuptojmë ato. Në biologji më shumë kanë hyrë nëpër pjesë jo themelore, kanë hyrë shumë detajisht dhe disa pyetje janë shumë të pakuptueshme", u shpreh Azra Gashi, nxënëse.

"Në fizikë kishte disa pyetje jo sipas formulës që ne i kemi mësuar, kurse në gjeografi kishin hyrë në shumë detaje siç janë "prej në Shkup deri diku, sa kilometra i ka apo cila rrugë është më e shkurtër", ato ne nuk i kemi përdorur në gjeografi dhe këto ishin të paqarta për ne", u shpreh Behare Ismaili, nxënëse.

Në dijeni me vërejtjet e mësuesve dhe nxënësve, janë edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Zv/ministri Safet Neziri tha se gjatë kësaj periudhe janë përmirësuar të gjitha pyetjet për të cilat janë dërguar ankesa.

"Unë do të kisha apeluar që deri më 16 maj, edhe 4 ditë kanë ngelur, mundësisht të gjithë ata që hasin gabime të kësaj natyre të ndërhyjnë aty për aty që të mundemi ne t'i pastrojmë ato dilema, respektivisht t'i përmirësojmë ato pyetje edhe unë këtu rri mbrapa edhe si garanci se vërtet nëse ka vërejtje, komente sugjerime që janë përmbajtjesore logjike ne do të intervenojmë dhe do ti përmirësojmë", deklaroi Safet Neziri, Zv/Ministër i Arsimit.

Testimi ekstern do të realizohet nga 2 deri më 10 qershor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, ndërkohë që nxënësit vetëm tre ditë para testimit ekstern do të kuptojnë se në cilat lëndë do të testohen. Gjithsej në testimin ekstern do të përfshihen 425 800 pyetje nga 5 141 lëndë mësimore. Melihate Rustemi

Share This Video


Download

  
Report form