Vazhdon odiseja e problemeve për nxënësit shqiptar, nga testimi ekstern. Përveç shkollave të mesme në Shkup dhe Kumanovë në të cilat breza të tërë nxënësish u notuan me njësh në testin e gjuhës shqipe, fenomeni i njëjtë është hasur thuajse në të gjitha shkollat shqipe. Shkak është softueri i përdorur në testim.
"Është problem jo vetëm në shkollën tonë por pothuajse në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe dhe të përzier. Është interesant se ky fakt u bë më një golgotë gjatë tre testimeve, duke u arsyetuar se është problem të softueri, te disa natyra të tjera... E gjithë kjo ndodh për shkak të një paaftësie. Kjo është paaftësi, jo-koordinim i të gjithë atyre që udhëheqin këtë sistem", tha Suzana Çavolli, profesoreshë e gjuhës shqipe.
Të revoltuar janë edhe prindërit, të cilët kanë ankesa edhe për lëndët e tjera ku janë testuar fëmijët e tyre. Ata theksojnë se organizimi i dobët i testimit ekstern ka bërë që nxënës të shkëlqyeshëm të marrin nota të dobëta në shumë lëndë.
"Vajzën e kam këtu, është viti i dytë. Ka marrë notë jo të merituar në këto testet "ekstreme". Mua më habit fakti që në matematikë ka marrë notë 2, ndërsa në nivel republikan ka marrë vendin e dytë...Çka janë këto teste "ekstreme". Për këtë do të ankohem jo në nivel republikan, por në nivel europian. Kemi të drejta!", tha një prind.
Drejtori i qendrës shtetërore për provime Jusuf Arifi thotë se është në dijeni të këtyre problemeve dhe se byroja që ai drejton po bën përpjekje të zgjidh defektet e shkaktuara nga softueri. Nuk përjashtohet mundësia që nxënësit t'i nënshtrohen sërish testimeve në afatin e gushtit.
"Besoj se brenda ditës së sotme do ta zgjidhim këtë problem. Nuk e dëmtojmë nxënësin e shkëlqyeshëm, i cili në hyrjen e testit e sheh se nuk ka klikime, do të thotë se nuk është bartë materiali i testimit deri te firma "Asteko" dhe nuk është bërë vlerësimi i tyre. Ato nxënës, nëse nuk kemi mundësi tua gjejmë testet, dhe të japim rezultatin real të tyre, atëherë do ti dërgojmë në afatin e tretë, i cili do të mbahet më 17 deri 20 gusht", tha Jusuf Arifi, drejtor i qendrës shtetërore për provime.
Arifi nuk pranon asnjë faj për problemet e paraqitura në testimin ekstern. Sipas tij fajtor është gjithkush tjetër, përveç Qendrës për provime.
"Problemi është te IT administratorët, nuk e kanë bërë përcjelljen e testeve... Përsëri është problemi teknik i shkollave, ose i sistemit qendror të Astekos... Mund të ketë edhe sistemi i firmës Asteko probleme të kësaj natyre... Unë nuk jam ekspert për të bërë atë... Qendra shtetërore për provime faktikisht nuk ka asnjë faj në këto mangësi që paraqiten tek shkollat dhe tek sistemi...", deklaroi Jusuf Arifi, drejtor i qendrës shtetërore për provime.
Mbi 800 ankesa janë adresuar deri tani pranë Qendrës për Provime, por drejtori Arifi thekson se në rast nevoje, afati për dorëzimin e ankesave i cili përfundon sot, do të shtyhet edhe për disa ditë. Benjamin Arifi