Analistët: Beteja e Selës për reformimin e PDSH-së, pozitive por e vështirë

alsatmtv 2015-08-22

Views 0

Njohësit e çështjeve politike e vlerësojnë jashtëzakonisht pozitive madje dhe të domosdoshme nismën e Ziadin Selës për të reformuar PDSH-në. Për Alajdin Demirin, në këtë mënyrë Sela do të kontribuonte në futjen e partisë në një binar konstruktiv, ndryshe nga ai i përmbushjes së interesave personale të një grupi të ngushtë të personave rreth kryetarit të tij Menduh Thaçi. Sipas analistëve, megjithëse përmbushja e këtij synimi është e vështirë nuk është e pamundur.

"Ishte një qasje ekstrem politike ku shpreh një brengë politike dhe shpall një rirreshtim në radhët e PDSH-së, e cila është në kundërshtim me menaxhimin e deritanishëm të PDSH-së ku kanë dominuar Interesat personale të një grupi rreth kryetarit aktual të PDSH-së. Si do të shkojë ky proces është vështirë të parashikohet por mënyra se si qaset ka mundësi që të rirreshtojë partinë politike në një binar më konstrukti v dhe natyrisht do të ketë shqetësime në radhët e PDSH-së. Fakti që grupi parlamentar që ka PDSH-ja do të jetë i pathyeshëm dhe i rreshtuar, por edhe fakti tjetër se shqetësimet politike dhe ardhmëria politike e Maqedonisë në këtë fazë që vjen krijon mundësi të reja edhe për zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhje lokale që afrohen dhe ky proces mund të jetë i suksesshëm më në fund për PDSH-në", tha Alajdin Demiri, analist.

Për njërin nga ish anëtarët e PDSH-së, Sulejman Rushiti, nisma e Selës vjen pikërisht në momentin kur shqiptarët janë pa përfaqësim politik, pasi sipas tij vullneti dhe vizioni i qytetarëve nuk reflektohet tek partitë politike. Megjithatë Rushiti vlerëson se Selën e pret një betejë e vështirë jo vetëm nga PDSH por edhe nga subjektet e tjera të cilat shfrytëzojnë situatën në favor të tyre.

"Unë mendoj që do të jetë betejë shumë e fuqishme, do të luftohet, jo vetëm nga partia të cilën synon ta reformojë por edhe nga të gjitha anët pasi elita politike aktuale e shqiptarëve të Maqedonisë nuk dëshiron që t'i ndryshojë ky komoditet. Çdo element i ri, progresiv i cili do të dal për të ndryshuar konceptin, mentalitetin e të zhvilluarit politik këtu tek ne brenda shqiptarëve do të luftohet në mënyrë të skajshme për të ruajtur këtë komoditet që kanë tani përfaqësuesit politik", tha Sulejman Rushiti, ish anëtar i PDSH-së.

Kreu aktual i komunës së Strugës Ziadin Sela, paralajmëroi se do të nxis një lëvizje përbrenda PDSH-së për të kthyer në trasenë e duhur partinë, e cila ka devijuar nga qëllimet dhe misioni i saj. Sela gjithashtu kërkoi edhe largimin e kreut të saj Menduh Thaçi, si një nga problemet kryesore që sipas tij lidhet me dështimin e partisë.
Pas emisionit në rruga drejt, ku Sela shpalosi qëndrimet e tij për reforma brenda PDSH-së, disa anëtarë të PDSH hapën një grup në Facebook, me thirrjen "Të gjithë kundër Ziadin Selës". Po ashtu, edhe deputetë dhe figura të larta të partisë, ndryshuan fotografitë e tyre, duke u shfaqur me kreun e partisë Thaçi. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form