Tirane- Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar ecurinë e procesit të legalizimeve, duke cilësuar si shpreseplotë për qytetarët, të cilëve sipas tij u është rikthyer besimi tek shtetit.
Gjatë një takimi të zgjeruar ndërinstitucional me drejtues e përfaqësues të ministrive dhe Agjencive të lidhura drejtpërsëdrejti me procesin e legalizimeve , Kryeministri vuri në dukje se problematika e deridjeshme e shkaktuar nga mungesa e koordinimit midis institucioneve ka sjellë penalizimin e qytetarëve, duke i hapur rrugë korrupsionit në çdo nivel.
"Nga tetori i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti në sportelet e ALUIZNI-t janë paraqitur 41 400 qytetarë, për të kërkuar sqarime për dosjet e tyre, për t'u ankuar për zvarritjet e deritanishme dhe për të plotësuar dokumentacionin e mangët, kur dokumentacioni ka qenë i mangët. Një lum i tërë njerëzish që prej vitesh kanë pritur më kot që të legalizojnë shtëpitë e tyre." u shpreh ai.
Kryeministri vlerësoi riorganizimin që iu bë ALUIZNI-t, duke e sjellë më pranë qytetarëve, si një domosdoshmëri për të paraprirë këtë proces të rëndësishëm për shoqërinë. Ai theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ALUIZNI-t me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Në takim ka folur dhe ministrja Gjermeni, e cila vlerësoi si përmbushjen e një prej angazhimeve më të rëndësishme të programit qeverisës, miratimin e ligjit për legalizimet falas.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/