Ambasadori i Shqipërisë në Greqi Dashnor Dervishi, në një lidhje telefonike për A1 Report, flet për votën kundër në referendumin e mbajtur në Greqi.
Ambasadori thotë se nuk do të ketë efekte negative për shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj, megjithatë nënvizon se duhen masa për të përballuar situatat në të ardhmen.
"Janë ndarë në dy grupe. Ata që votuan Jo po festojnë. Problemi është se si do të vijojë dita e nesërme. Çdo të bëhet me taksat formale të propozuara me Greqinë. Bankat nuk mund të hapen pa vendosur nga BQE dhe Bankat greke. Tsipras ka deklaruar që sonte do shkojë në Bruksel në negociata. Ndërkohë që qeveritë e disa vendeve të BE-së kanë kryer edhe mbledhje se si do të veprohet për të ardhmen. Në analiza të ndryshme ka filluar edhe një humor se Borxhliu do të vendosë për kushtet."- tha Dervishi.