TIRANË - Dy persona me maska dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur një kambist. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e sotme në aksin rrugor Rinas ? Fushë ? Krujë. Ata kanë mundur të marrin 100 mijë euro dhe automjetin Mercedez- Benz ML me targa TR 7755 M. Cen Hyseni, 61 vjeç, nga Tirana, është pronari i një pike të këmbimit valutor në Laç.
Krimi ndodhi rrugës drejt kryeqytetit ku ai dhe jeton. Autorët i kanë prerë rrugën tregtarit me mjetin tip Benz me targa Burimet e policisë thonë se maskat kanë qëlluar dy herë në ajër ndërsa në vendin e ngjarjes kishte edhe xhama të thyer të një prej mjeteve.
Personat ende të paidentifikuar, i prenë rrugën mjetit që drejtohej nga kambisti Hyseni, dhe më pas nën kërcënimin e armës detyruan atë të dorëzonte paratë bashkë me veturën e tij. Menjëherë pas krimit autorët janë larguar në drejtim të Rinasit. Konfirmohet që mjeti i përdorur për grabitjen ka qenë i vjedhur.
Hetuesit fillimisht morën në pyetje kambistin i cili për minuta të tëra nuk ka mundur t'u kthejë përgjigje për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Specialistët e krimeve të rënda në Krujë, kanë kërkuar në disa biznese aty pranë kamerat e sigurisë për të parë lëvizjet nëse në to shihet ndonjë prej grabitësve të mundshëm.
Pronari i makinës nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe dyshohet se dy grabitësit e kanë ditur paraprakisht intinerarin e lëvizjes së tij. 61-vjeçari mësohet se është pronar i një pike këmbimi parash në qytetin e Laçit dhe kjo dyshohet se është arsyeja e kësaj grabitje.
Makina e përdorur në këtë grabitje, tip Benz me targa false AA 621 ES e cila dyshohet se është e vjedhur është çuar në Komisariatin e Fushë Krujës për t'u marrë shenjat dhe të dhëna të tjera, të cilët do të çojnë në identifikimin e më pas kapjen e dy autorëve.