TIRANË - Shumica e majtë ka nisur punën për të rindërtuar byronë e hetimit që ia rrëzojë pak muaj më parë Gjykata Kushtetuese. E pagëzuar si ?FBI-ja shqiptare?, Byroja do të riformulohet duke mos e dubluar prokurorinë e cila me formulën e re do të pyetet dhe do të drejtojë çdo hetim.
Detajet e ligjit të ri të përshtatur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për A1 Report i shpjegon kreu i komisionit të sigurisë Spartak Braho.
?E tërë veprimtaria e byrosë kombëtare të hetimit do të trajtohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Padyshim që do të ketë riformulime dhe rispecifikime më të sakta për të hequr çdo paqartësi që krijohet nga formulimet e para. Është një strukture që do të drejtohet nga pikëpamja administrative nga Policia e Shtetit dhe nga pikëpamja ligjore do të drejtohet nga Prokurori i Përgjithshëm apo prokurorët sipas seksioneve në rrethe. Në sesionin e shtatorit është një ndër ligjet që do të bëhen pjesë e axhendës së Kuvendit?, tha Braho.
Po si do të harmonizohet Byroja me kushtetutën dhe të dakordësohen kompetencat e saj me prokurorinë?
?Kjo strukturë do të jetë kombëtare e ndarë në të gjitha degët që ka Ministria e Brendshme në shkallë rrethesh apo qarqesh por të gjitha veprimet hetimore procedurale do të zhvillohen nën drejtimin e prokurorisë, është prokuroria ajo që do të japë leje për gjurmime, për hetime, për investigime?, thotë Braho për A1 Report.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi në muajin prill ligjin për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas vendimit të saj disa dispozita të ligjit binin ndesh me kushtetutën e vendit. Ngritja e Byrosë ishte pjesë e ligjit për Policinë e Shtetit.