TIRANË ? Policia ka parandaluar vrasjen e një emigranti me minë të telekomanduar, minë e cila po përgatitej nga një 29-vjeçar me porosi të dy personave të tjerë.
Strukturat e Krimeve Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë kanë arrestuar dy persona, si përgjegjës për përgatitjen e minës që do të shërbente për atentatin ndaj emigrantit që ishte në shënjestër.
Të arrestuarit janë një 29-vjeçar i dënuar më parë për vjedhje dhe një vajzë 26 vjeçe, ndërsa dy porositësit e minës janë shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit të koduar "Emigranti", u arrestuan në flagrancë shtetasit: 1) Juljan Shorja, 29 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tirane, i dënuar më parë për vjedhje dhe 2) R. T., 26 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë.
Arrestimi i Juljan Shorja, u krye pasi nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas po përgatiste një lëndë plasëse "minë me telekomandë" për llogari të shtetasit Sh.P., ku ky i fundit, në bashkëpunim me shtetasin M.A., do e përdornin për vrasjen e emigrantit.
Nga kontrolli i banesës së Juljan Shorja u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dy kapsolla detonatore, municione luftarake dhe lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.
Policia nuk jep më shumë detaje mbi këtë ngjarje dhe nuk bën të ditur identitetin e emigrantit që ishte në shënjestër për shkak të hetimeve që janë në vijim.