Për shkak se u shoqërua me një fushatë krejt të dobët sensibilizimi sistemi i ri online i tatimeve që ka nisur aplikimin që në muajin janar të këtij viti ka gjobitur masivisht biznesin.
Nga burimet zyrtare në Ministrinë e Financave numri i tatimpaguesve që janë dënuar me gjoba për mos deklarim në afat të deklaratave tatimore është thuajse 90%.
Ministria e Financave në një relacion të derguar në Kuvend për procedurat tatimore argumentoi se gjobat masive u prodhuan në periudhën kohore që përkon me përshtatjen e tatimpaguesve me sistemin e ri, ndaj është propozuar edhe falja e tyre.
Dikasteri i Canit ka evidentuar se, vënia e gjobave në mënyrë kaq masive cenon besimin e tatimpaguesve ndaj administratës tatimore dhe reduktimin e nivelit të vetëdeklarimit të detyrimeve tatimore dhe së fundi numri i apelimeve është shumë i madh në një kohë shumë të shkurtër, gjë që sjell pamundësi nga ana e Drejtorisë së Apelimit Tatimor për shqyrtimin e të gjitha këtyre ankesave
Gjithashtu Ministria e Financave pranon se periudha ishte e shkurtër që tatimpaguesit u vunë në dijeni për sistemin e ri online , duke prodhuar pamundësinë e kryerjes së deklarimeve në periudhën janar 2015, gjë e cila solli dënimin me gjoba të shumta për tatimpaguesit.
Në nenin 22 të projektligjit të procedurave tatimore është shtuar një nen i ri, neni 133/1, ku propozohet që tatimpaguesve, të cilët me implementimin e sistemit të ri të iT, edhe pse nuk kanë pasur përgjegjësinë tatimore për një tatim apo taksë të caktuar, janë ngarkuar me këtë përgjegjësi dhe për pasojë janë evidentuar si debitorë pranë administratës tatimore, u falen gjobat dhe interesat e përllogaritura.