TIRANE - Partia Demokratike i kërkon zyrtarisht Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, OSBE dhe misioneve që asistojnë drejtësinë shqiptare, që të jetë ekspertiza e huaj ajo që të vendosë për platformën përfundimtare të reformës në drejtësi. Përmes një letre që mban firmën e nënkryetarit demokrat në komisionin e posaçëm parlamentar, Eduard Halimi, PD thekson se reforma në drejtësi nuk është aksion, por duhet të jetë një proces i matur dhe me vigjilencë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, komisioni parlamentar për reformën në drejtësi ka miratuar disa javë më parë draft-strategjinë vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që 3 ditë më parë, opozita dorëzoi platformën e saj. Lëvizje këto që tregojnë se arritja e konsensusit mes palëve s?do jetë një proces i lehtë.
Por, duke paraparë rrezikun e thellimit të divergjencave mazhorancë-opozitë dhe në kushtet e një pamundësie kompromisi, Partia Demokratike i drejtohet ndërkombëtarëve që ekspertiza e tyre të vendosë fatet e reformës në drejtësi.