Banka Botërore prezantoi Raportin e Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore, ku u paraqitën mesazhet kryesore:
1. Rritja ekonomike përshpejtohet gjatë 2015-ës por mbetet poshtë potencialit
2. Zhvillimet ndërkombëtare ndikojnë në shfaqen e rreziqeve të ndryshme me afat të shkurtër dhe të mesëm
3. Reformat strukturore ndikojnë në shpejtësinë e rimëkëmbjes në afatmesëm
4. Pavarësisht përmirësimeve të fundit, tregu i punës mbetet i dobët
5. Përshpejtimi i rritjes pritet të reduktojë varfërinë megjithatë papunësia e vazhduar dhe pjesëmarrja e ulët në forcën e punës përbëjnë pengesë
6. Konsolidimi fiskal duhet të vijojë për të reduktuar peshën e borxhit në afatmesëm
7. Politika për rritjen e të ardhurave dhe konkurrueshmërisë
Paraqitja e shkurtër u bë nga Koordinatorja e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, dhe udhëheqësja e Programit për Makroekonomi dhe Menaxhment Fiskal për Evropën Juglindore, Gallina Andronova Vincelette , nëpërmjet video-lidhjes nga Zyra e Bankës Botërore në Sarajevë.
Ndërsa për Shqipërinë do të jetë znj. Tahseen Sayed që do të paraqesë një panoramë të situatës ekonomike në vend, plotësuar nga të dhënat e hollësishme nga ekonomistja e BB Znj. Hilda Shijaku.
Vlerësohet se ekonomia e Shqipërisë ka vijuar të zgjerohet gjatë gjysmës së parë të 2015, si rezultat i investimeve të brendshme të mëdha. Megjithatë, mbetet nën potencialin e saj. ?Ekonomia duhet të nxitet nga investimet dhe eksportet neto. Duhet pasur parasysh se konsumi privat ka mbetur i ulët e po kështu edhe besimi i konsumatorëve?, bën të ditur zyrtarët e BB-së.
Sa i përket konsolidimit fiskal, raporti bën të ditur se ai po mbështetet tek shpenzimet. Gjatë gjysmës së parë të 2015, shpenzimet janë tkurrur me 0.9% në bazë vjetore, me 195,6 mld lekë. Ne të kundërt, shpenzimet kapitale u rritën me 5.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014.
Për të ardhurat, raporti tregon se përpjekjet për konsolidim kanë qenë më pak efektive se sa ato për shpenzimet, për shkak të mbledhjes së dobët të të ardhurave, si dhe inflacionit më të ulët se sa parashikimi. Shkak është edhe çmimi i naftës.