Ndryshe nga parashikimi optimist që financat e vendit kanë bërë në buxhetin e 2013-ës se ekonomia shqiptare do të rritet me 3%, në raportin e tij të fundit,
Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që rritja e ekonomisë shqiptare për këtë vit të mos kalojë shifrën 1.8%. Vlerësimi i FMN-së, bie ndesh edhe me rritjen ekonomike të vitit 2012-të që ka nxjerrë INSTAT, ku sipas raportit të ekonomisë globale, vitin e shkuar rezulton që rritja ekonomike në Shqipëri të jetë 1.3%. Për ekspertët e ekonomisë, të gjitha këto shifra nuk marrin shumë kuptim, për sa kohë niveli i tyre është relativisht i ulët, pasi nuk përkthehen konkretisht në rritje të mirëfilltë të mirëqenies së qytetarëve. Një nga shqetësimet kryesore për ekonominë tashmë, është niveli i borxhit dhe përmirësimi i klimës së biznesit. specialistët shprehen se me këtë ecuri të ngadaltë të rritjes ekonomike, mund të rrezikojmë pagesën e borxhit. Një muaj pas miratimit të buxhetit në parlament, qeveria uli parashikimet për rritjen ekonomike, dhe njëkohësisht me të u rrit dhe niveli i borxhit publik. Aktualisht të ardhurat në buxhetin e shtetit edhe për tremujorin e parë kanë pësuar rënie, ndërkohë që një faturë e madhe financiare pritet t'i vijë arkës së shtetit, pas nismave të ndërmarrë së fundi për heqjen dhe uljen e disa taksave.