Ambasadori amerikan shprehu shqetësimin në rritje të Faktorit Ndërkombëtar për fatin e procesit të 23 qershorit. I ftuar në emisionin special për periudhën e fushatës, "2013", i gazetarëve Lutfi Dervishi dhe Adi Krasta, ambasadori tha se problemi pritet të jetë KQZ-ja, e cunguar. "Ne kemi shprehur shqetësim për zhvillimet në KQZ nga situata me të cilën përballet KQZ-ja. Kam ndjesinë që asnjë palë nuk është veçanërisht e shqetësuar për situatën në KQZ siç jemi ne. Të dy palët janë të interesuara që të fitojnë zgjedhjet dhe ne e kuptojmë këtë. Nga pikëpamja jonë, ne jemi neutralë. Për ne rëndësi ka që të zhvillohet një proces i mirë, i shëndetshëm, demokratik. Në një pikë zgjedhjet duhet të certifikohen me një shumicë të cilësuar, kështu që duhet të shkojmë në Kolegjin Zgjedhor. Çfarë ndodh nëse ka një rezultat 70-70 ose 69-68 me tre mandate të pavendosura. Do të doja që njerëzit të kishin menduar më shumë këtë më 15 prill në datën kur është votuar për shkarkimin e zotit Muho"- ka thene ambasadori. Arvizu shtoi se kur rregullat ndryshohen në mes të lojës, atëherë zvogëlohet besimi i opinionit publik tek procesi. I pyetur se cili do ishte skenari më i keq për këto zgjedhje, Arvizu tha: "Ka skenarë nga më të këqijtë dhe më të ndryshmit, por ne shohim mundësitë e një ngërçi. Mbrëmë isha 3 orë me shefen e McCormack, 2 orë nga të cilat i shpenzuam në diskutime për Shqipërinë dhe 1 orë për SHBA. Skenarët e vështirë? Janë mundësitë e një ngërçi, debatet për interpretimet e rregullave në mënyra të ndryshme. Sjellja e institucioneve është vërtet kryesorja. Ne do të shohim aktorët dhe do t'i nxisim të veprojnë në përputhje me ligjin, të shmangin veprimet kapriçoze. Dhuna është një tjetër shqetësim. Kemi parë dhunë në fushatë, p.sh si rasti i Fierit". Diplomati pranoi se ka një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Berishës: "Unë dhe kryeministri Berisha kemi punën tonë për të kryer. SHBA dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Përgjegjësia ime kryesore është të përfaqësoj popullin tim, Presidentin tim. Ai (Berisha) e kupton, ai e ndjen se kjo miqësi është më kryesorja. A kemi pasur ndryshime në marrëdhënie?? Herë pas herë, po."