http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Shkencëtarët britanikë pretendojnë se kanë arritur në një moment historik, sa i përket kërkimeve për luftimin e kancerit. Një ekip mjekësh ka arritur të listojë 21 lloje kryesore mutacionesh gjenetike, të cilat janë shkaktare të 30 tumoreve. Ndryshimi i kodit gjenetik të njeriut, si pasojë e këtyre mutacioneve, përllogaritet si shkaktar i këtyre tumoreve, në 97 për qind të rasteve. Zbulimi i shkaqeve të këtyre mutacioneve mund të çojë në gjetjen e kurave të reja. Një pjesë e tyre, dihen tashmë, por më shumë se gjysma, mbeten një mister. Një tumor nis kur një nga pjesët e organeve të trupit, si për shembull një qelizë, pëson një deformim. Gjatë jetës së njeriut, kjo qelizë pëson edhe ndryshime gjenetike, duke bërë që ajo të shndërrohet në një tumor vdekjeprurës, që rritet në mënyrë të pakontrolluar. Shenja të tjera janë të lidhura me plakjen e sistemit imunitar të trupit. Në këtë rast, qelizat u përgjigjen infeksioneve të ndryshme virale, duke aktivizuar disa lloje enzimash, të cilat shkaktojnë mutacion te viruset. Si pasojë e këtyre ndryshimeve gjenetike, viruset çojnë deri në shkatërrimin e qelizave. Këto janë vetëm disa nga mënyrat se si shkaktohet një kancer në trupin e njeriut. Shumë të tjera janë ende të papërcaktuara nga shkencëtarët. Sipas mjekëve, të kuptuarit se çfarë dhe si shkaktohet kanceri që në gjenezë, mund të bëjë që të gjenden mënyrat se si të parandalohet dhe të trajtohet kjo sëmundje vdekjeprurëse.