http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Thaçi dhe Daçiç takohen në Bruksel për të disatën herë brenda vitit. Krerët e qeverive të Prishtinës dhe Beogradit, të shoqëruar nga shefja për politikë të jashtme e BE-së, Ketrin Eshton, do të kenë në fokus të bisedimeve, zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë. Në darkën e punës që dy liderët do të mbajnë në Bruksel, sipas mediave, pritet që të diskutohet prania e zyrtarëve të lartë serbë në fushatën zgjedhore. Takimi pason kërcënimet e Beogradit se mund të tërhiqet nga bisedimet nëse zyrtarëve serbë nuk u lejohen vizitat në Kosovë gjatë fushatës elektorale. Autoritetet e Prishtinës, nuk lejuan një vizitë të Daçiç në Kosovë pak ditë më parë. Sipas mediave, pritet që Thaçi t'i kërkojë homologut të tij që në bazë të marrëveshjes së 19 prillit, zyrtarët serbë të mos u bëjnë thirrje banorëve të komunave të veriut, se për cilin subjekt politik të votojnë, por vetëm që të marrin pjesë në zgjedhje. Ndërkohë, mediat serbe njoftojnë, se baronesha Eshton do t'i kërkojë zotit Thaçi që Prishtina zyrtare të mos pengojë vizitat e krerëve serbë në Kosovë.