http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Dy shqiptarë, vëllezërit Melsi dhe Elvis Çollaku, nga fshati Shuec i Devollit, dhe një polic grek, mbetën të vrarë pas një shkëmbimi zjarri në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, pak minuta pas mesnatës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Follorinës, rreth dy kilometra nga liqeni i Prespës së Vogël. Sipas mediave helene, një grup prej tre efektivësh të policisë greke, shkëmbyen zjarr me dy persona të armatosur. Patrulla po ushtronte një kontroll në zonën pranë liqenit, kundër peshkimit të paligjshëm, pasi kishte informacione se ishin vjedhur disa rrjeta peshkatarësh. Siç raportojnë mediat e shtetit fqinj, patrulla ka pikasur lëvizje pranë një kasolleje që shpesh përdoret për strehim nga emigrantët e paligjshëm dhe trafikantët. Sipas variantit të policisë greke, të cituar nga mediat, pasi patrulla është afruar, dy personat që ndodheshin në kasolle, pasi kanë bërtitur në shqip për praninë e policisë, kanë hapur zjarr me kallashnikov. Si pasojë mbeti i plagosur rëndë efektivi grek, 43-vjeçari Ilia Kosteni, i cili nuk u mbijetoi dot plagëve, duke humbur jetën në spital. Më pas, nga shkëmbimi i zjarrit u vranë edhe dy shqiptarët, vëllezërit Melsi dhe Elvis Çollaku. Por banoret e fshatit Shuec dhe familjaret e viktimave kundërshtojnë versionin e policisë greke. Nevruz Çollaku tregon për Vizion Plus se vëllezërit, prindër të dy fëmijëve, dilnin gjithmonë për peshkim në ujërat greke pasi pjesa shqiptare E Prespës së Vogël është mbuluar nga bimësia. Me vete ata mbanin edhe çiften për gjueti shpendësh. Ne bregun e liqenit rreth 1 km larg nga fshati policia ka gjetur makinën me të cilin kane ardhur deri këtu, një natë më parë të dy vëllezërit Çollaku. Në të nuk është gjetur asnjë shenje e lendeve narkotike, pretendim i ngritur nga policia e vendit fqinje. Por, policia kufitare dhe ajo e rendit e vendit tone nuk ka zbardhur ende rrugën qe kanë ndjekur vëllezërit deri në vendin ku kanë mbetur të pajetë. Një gjë e tille, thane burime policore, do të behet e ditur vetëm pas përfundimit të hetimeve.