http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në 2 dekadat e fundit shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri, por deri më tani lufta politike e ka bërë të pamundur një reformë të plotë territoriale-administrative. Tashmë që kjo reformë është futur në axhendën e qeverisë, ekspertë dhe urbanistë kërkojnë që kjo reformë të përfshijë edhe decentralizimin. Ish-kryeministri Ylli Bufi i cili, po punon së bashku me eksperte për një projekt alternativ të reformës administrative territoriale deklaron se duhet të ndryshojë modeli i qeverisjes nëse kërkojmë që pushteti vendor të jetë funksional. Sipas tij përtej Kushtetutës nevojitet edhe ndryshimi i 12 ligjeve në mënyrë që njësite vendore të ofrojnë shërbimet për të cilat kanë nevojë qytetaret. Edhe sipas urbanistit Dritan Shutina ndarja e njësive duhet bërë në varësi të kompetencave që duam t'ju japim drejtuesve vendorë. Shutina vlerëson punën e qeverisë për hartimin e një draftit i cili e nis punën duke u bazuar tek 36 rrethet dhe përcakton 3 ndarje, zona me dendësi popullsie të lartë mesatarisht mbi 30 mijë banorë, të mesme mbi 20 mijë dhe të ulët mbi 10 mijë banorë. Bufi i cili ka qënë Bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale në vitin 2004, pranon se interesat politike janë shumë të forta në këtë proces pasi ndarja e re do të ndikojë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Qeveria tashme ka përcaktuar kriteret mbi të cilat do të bëhet harta e re e ndarjes territorial dhe ky draft pritet të mbërrijë në Parlament në fillim të sesionit kur do të ngrihet edhe komisioni i posaçëm.