http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Opozita rikonfirmon bojkotin ndaj reformës territoriale. Kryetari i opozitës Lulzim Basha njëherësh kryebashkiaku i Tiranës e ka cilësuar farsë ftesën e qeverise për konsensus. Në një takim me drejtues të djathtë të njësive vendore dhe deputete demokrate, zoti Basha e ka cilësuar të njëanshme reformën e ndryshimit të kufjeve të njësive vendore. Për kreun e opozitës qeveria Rama - Meta synon të ndryshojë hartën administrative për qëllime elektorale. Kryetari demokrat njëherësh dhe i bashkisë më të madhe të vendit deklaroi nisjen e protestave popullore në rrugë dhe sheshe, kundër nismës së njëanshme të mazhorancës sipas Lulzim Bashes për të hartuar të vetëm reformën administrative dhe territoriale. Në kushtet kur opozita nuk pranon bashkëpunimin me mazhorancën në këtë proces, kreu i kuvendit Ilir Meta ka përsëritur qëndrimin e të majtës për ta mbyllur të vetëm reformën territoriale. Ditën e enjte, pritet që shumica të ndryshojë projektvendimin e komisionit për reformën territoriale e cila deri tani nuk është mbledhur asnjëherë për shkak të bojkotit të opozitës. Me këtë ndryshim, opozitës i hiqet e drejta e vetos dhe krijohet mundësia që mazhoranca ta kaloje e vetme ndryshimin e hartës territoriale të vendit.