TIRANE - Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë Berisha 2, Spiro Ksera është arrestuar nga policia mbrëmjen e së premtes nën akuzën e vjedhjes të 30 milionë lekë të reja duke shpërdoruar detyrën. Arrestimi i Kserës, që shënon edhe vënien në pranga për herë të parë të një ish-ministri në vendin tonë, është bërë në një lokal në fshatin Derviçan të Gjirokastrës, ku ai jeton. Ndaj tij Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar urdhër arresti me akuzën se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash përmes tenderëve fiktivë për organizimin e aktiviteteve social-kulturore për fëmijët në nevojë, romët dhe moshën e tretë, gjatë vitit 2013 pak para zgjedhjeve të qershorit kur të djathtët lëshuan pushtetin. Në cilësinë e kryetarit të Entit Prokurues, në bashkëpunim me ish-drejtorin e Kabinetit Kleves Bitro si dhe mbështjen e disa zyrtarëve të tjerë, Ksera ka vjedhur paratë e akorduara për aktivitetet e shtresave të ndryshme sociale. Në shumicën e rasteve, sipas Prokurorisë së kryeqytetit, këto aktivitete nuk janë realizuar, ose janë bërë me kosto shumë më të ulëta se sa vlera që është shënuar në dokumentet zyrtarë.
Shqiptarja.com zbardh deklaratat e para të ish-ministrit Ksera në ambientet e komisariatit të Gjirokastrës, pas arrestimit të tij. Ai mësohet të jetë shprehur para hetuesve se arrestimi ka prapavijë politike. Ndërkohë, deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga strukturat e Partisë Demokratike, dega Gjirokastër, ku Ksera është pjesëtar në këto struktura. Burime nga PD-Gjirokastër thanë për Shqiptarja.com se i takon degës së Tiranës të japë një reagim për ngjarjen.
Burime nga Policia e Shtetit thanë për Shqiptarja.com se në pranga ka rënë edhe dy ish-zyrtarë. Bëhet fjalë për Artevis Menen, ish-punonjës në ministrinë e Kserës, i cili është arrestuar në fshatin Goranci, ku ai jeton, pranë Dervicanit. Personi tjetër i arrestuar është A.Karabashi, drejtues i agjencisë ?Karabashi?, i cili akuzohet se është është përdorur për falsifikimin e dokumenteve fiktive.
Të njëjtat burime sqaruan se janë lëshuar edhe 4 urdhër arreste të tjera, të cilat pritet të ekzekutohen në Tiranë.
Ish-ministri Ksera është paraqitur mjaft i qetë gjatë momentit të ndalimit ku ka deklaruar se nuk "ka bërë asgjë". Ksera u shoqëruar pa pranga me një makinë policie drejt ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, ndërsa pas mesnate, rreth orës 02:00 të mëngjesit të së shtunës ai u transferua për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.