TIRANË - Prej ditës së hënë deputeti i parlamentit shqiptar, Eduart Ndocaj nuk ka drita në shtëpinë e tij në Lezhë. OSHEE në këtë qytet, i ka prerë energjinë elektrike deputetit ?kaubojs?, në datën 8 shkurt. Gjithçka ka ardhur pas një borxhi të madh të akumuluar nga familja Ndocaj, dhe mospagesës edhe në kohën kur ai u kthye në Shqipëri për të ushtruar mandatin e deputetit. Shqiptarja.com disponon dokumentin e plotë të të dhënave në sistemin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku rezulton, se deputeti ka 14 kontrata për furnizim energjie me OSHEE-në, dhe në 13 prej tyre, ai ka konsumuar energji, të cilën nuk e ka paguar, duke shtuar kështu në faturën e tij personale edhe kamatëvonesat.
Aktualisht fatura e tij totale ndaj OSHEE-së, për 14 objektet në pronësi të tij, arrin në vlerëson e 19 milionë lekëve të vjetra. Në terma fikse, fatura është 1 915 846.04 lekë të rinj. Deputeti që ekspozon makina luksoze dhe bamirësi të shpeshta, duket se ka anashkaluar një detyrim shtetëror, shtuar këtu edhe aksionin qeveritar për pagesën e faturave të energjisë. Këtë aksion Ndocaj nuk e ka parë si një mundësi për të shlyer detyrimet, por kjo i ka kushtuar me ndërprerjen e energjisë.