TIRANË - "Nëse do të gjendet diçka brenda apo jashtë vendit, do të kërkoj ndjesë dhe do të largohem". Kështu është shprehur për gazetarët deputeti Armando Prenga përballë pyetjes nëse i tremet dekriminalizimit.
Prenga, i cili iu rikthye këtë të hënë jetës parlamentare për herë të parë pas arrestimit për konfliktin në Kurbin, u shpreh se pas përjashtimit nga Partia Socialiste do të qëndrojë deputet i pavarur.
" Jam i përjashtuar nga Partia Socialiste dhe nuk rikthehem më. Nuk do të bëhem pjesë e asnjë formacioni tjetër politik, as majtas as djathtas. Do mbaroj mandatin parlamentar dhe më pas do të shikoj se çfarë do të bëj", tha Prenga.
Ndërkohë - Prenga u shpreh se do të prese me qetësi vendimin e Gjykatës së Lartë sa i përket akuzave për plagosje dhe armëmbajtje pa leje në lidhje me konfliktin e armatosur 4 muaj më parë në Kurbin me familjen Cali, për Lagunën e Patokut.
Prenga për herë të parë në Kuvend pas arrestimit
Pasi fitoi lirinë nga Gjykata, deputeti Armando Prenga ka marrë pjesë këtë të hënë në Kuvend, duke rinisur kështu angazhimin e tij parlamentar si ligjvënës.
Në këtë foto të Shqiptarja.com Armando Prenga ndodhet në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, ku ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli raporton për NATO-n.
Kjo është seanca e parë ku Prenga merr pjesë në Kuvend që pas arrestimit të tij.
Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë hoqi masën e sigurisë "arrest shtëpiak" dhe dha "detyrim paraqitje" për deputetin e Lezhës si dhe aprovimin për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend si dhe në komisionet parlamentare.
Sipas vendimit, Prenga duhet që çdo të hënë ora 09:00 të paraqitur pranë oficerëve të policisë gjyqësore.