Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po shkon drejt zgjedhjeve të 2017, pa dy parti të djathta, të cilat ishin pjesë e koalicionit të PD në zgjedhjet e fundit lokale. Aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike, ballistët dhe legalistët, nuk i janë përgjigjur interesit të Lulzim Bashës për një marrëveshje të re politike, në kuadër të zgjedhjeve të 2017.
Refuzimi ka ardhur pas shkeljes së marrëveshjes së Partisë Demokratike për ndarjen e pushtetit pas zgjedhjeve lokale të 2015. Siç dihet, legalistët dhe ballistët u përfshinë në një kurs përplasjesh me kryetarin e PD, Lulzim Bashën, pas zgjedhjeve lokale të 2015. Thelbi i mosmarrëveshjeve dhe nervozizmit, lidhej me mungesën e përfaqësimit të dy partive në fjalë në bashkitë dhe këshillin bashkiak.
Gjithsesi, në kuadër të lëvizjeve gjysmë të dukshme për ndërtimin e koalicionit të ardhshëm, për llogari të zgjedhjeve të 2017, Basha ka ftuar aleatët tradicionalë, për t?u bashkuar me grupin e partive, që do të drejtohet nga PD. Sipas burimeve, krerët e partive të djathta nuk janë kontaktuar personalisht nga Basha, por me anë të ndërmjetësve të tij. Po në këtë kuadër, disa javë më parë, Basha ka zhvilluar një takim në selinë e PD edhe me Vangjel Dulen, partia e të cilit herë kalon majtas dhe herë djathtas. Megjithatë, nuk ka një pakt zyrtar mes PBDNJ dhe PD. Aktualisht, PD ka vetëm një aleat të qëndrueshëm, Fatmir Mediun, kryetar i PR.
Reagimi
Balli Kombëtar dhe PLL nuk i janë përgjigjur kryetarit të PD. ?Jo që nuk e ka zbatuar atë që ka firmosur, por ka shkelur rëndë frymën e bashkimit dhe vëllazërimit midis nesh dhe futi frymën e përçarjes midis strukturave të partisë Balli Kombëtar?, u shpreh kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, duke iu referua raporteve me PD. Nga ana tjetër, edhe kreu i PLL, Sulejman Gjana, u shpreh skeptik sa i takon një marrëveshje të mundshme PD, për shkak të një përvoje negative bashkëpunimi me pasuesin e Berishës. Raportet mes partisë kryesore dhe aleatëve nuk janë të mira as në shumicën në pushtet. Aleatët e Partisë Socialiste kanë shprehur në vijimësi rezerva sa i takon nivelit të repetimit të marrëveshjes para zgjedhjeve të 2015.