Krijimi i institucioneve të reja në kuadër të reformës në drejtësi, duket se do të jetë shkaku i radhës për të zvarritur dakordësinë mes mazhorancës dhe opozitës. Mbledhja e sotme e komisionit të posaçëm parlamentar nuk ka marrë vendim në lidhje me ngritjen e institucioneve të reja si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar, Fatmir Xhafaj tha palët po debatojnë për institucionet e reja që krijohen nga reforma në drejtësi.
"Është rënë dakord për shumicën prej tyre, arkitekturën e sistemit, funksionimin e institucioneve të reja që do të ngrihen në sistem, për strukturën e hetimit dhe ndjekjes penale dhe një sërë çështjesh të tjera. Çështja më fort e debatueshme dhe që pretendonim të kishim dakordësi, ka të bëjë me emërimin e institucioneve të reja. Ka pasur opinion nga opozita për këtë çështje, ka dhënë një propozim, kemi dhënë dhe ne një propozim që në thelb shqetësimi që kemi pasur ne në propozimin tonë është një dhe vetëm një, se si institucionet e reja të mos jenë në kontrollin politik. Këtë reformë e kemi nisur për tre arsye: E para për luftën kundër koorporativizmit në sistem, luftën kundër korrupsionit në sistem dhe për të minimizuar shkallën e ndikimit të politikës në sistem. Kemi diskutuar 10 çështjet e pretenduara nga opozita, një pjesë e të cilave për fat të mirë ishin çështje të ezauruara nga Komisioni i Venecias gjë që na e bën më të lehtë diskutimin, një pjesë ishin çështje që kanë nevojë për diskutim dhe debat në rrafshin politik që u zhvillua sot dhe mbetet i hapur për tu rikthyer pasi të kemi një qëndrim të ekspertëve ndërkombëtarë që janë pranuar si ekspertiza e përbashkët në këtë proces", u shpreh Xhafaj.