Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, e cilësoi moment të rëndësishëm për vendin miratimin nen për nen të draftit të reformës në drejtësi. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së komisionit, Xhafaj u shpreh se u votua drafti i dakordësuar, ndërsa theksoi se do të vijojnë negociatat për kërkesat e opozitës lidhur me vendet e rezervuara në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë si dhe Komisionin e Kualifikimit e Kolegjin e Apelimit.
"Në vlerësimin tim kjo është një ngjarje e rëndësishme. Kemi sot një projekt kushtetues, të votuar përfundimisht, një projekt i cili me kalimin e procedurave të tjera parlamentare, do të hapë një faqe të re për Shqipërinë, për rrugën europiane të Shqipërisë dhe pa dyshim për konsolidimin e shtetit të së drejtës, për konsolidimin e një demokracie funksionale në Kuvend. Kemi miratuar një projekt i cili nuk është më pronë e Kuvendit të Shqipërisë, por është pronë e shqiptarëve, në interes të të ardhmes së tyre. Është një ngjarje e shënuar, që meriton të vlerësohet, mbështetet dhe besoj se qytetarët e meritojnë këtë projekt, sepse meritojnë të kenë drejtësinë e duhur, shumëpritur, drejtësinë që i bën ata të ndjehen si qytetar europianë", u shpreh Xhafaj.