Dalin në dritë fakte të reja në lidhje me grabitjen e afro 1 milionë euro në Aeroportin "Nënë Tereza" më 30 qershor. Kontrolli i kamerave të vendosura në objekte të ndryshme në segmentet rrugore pranë aeroportit të Rinasit, kanë zbuluar një fugon që dyshohet se është përdorur nga grabitësit.
Dyshimet e hetuesve janë se ky fugon është larguar në një rrugë dytësore paralele me atë Rinas- Qafë Kashar, për të ndaluar pranë kthesës së Bërxullit.
Aty furgoni ka marrë në drejtim të Laknasit, për t?u futur në zonën e Kamzës dhe më pas nuk ka asnjë informacion se kush ka qenë destinacioni i radhës. Dyshohet se këtë fugon, grabitësit e kanë përdorur pas djegies së mjetit tip "Benz" me të cilin u krye grabitja.
Por dyshimet e grupit hetimor janë se grabitësit mund të kenë përdorur më shumë se një mjet për ti shpëtuar gjurmimit të policisë, ndaj dhe kanë nisur verifikimet edhe për dy makinat e gjetura në ujërat e liqenit te Shkopetit.
Grupi hetimor i policisë së Durrësit dhe prokurori Florian Bonjaku, kanë parë nga afër veprimet për nxjerrjen e dy automjeteve ?Mercedez- Benz?, të mbytur në liqenin e Shkopetit.
Një nga këto automjete dyshohet se është mbytur qëllimisht në liqenin e Shkopetit, gjatë mbrëmjes së të hënës. Ndërkaq në cilësinë e provës materiale, grupi hetimor ka gjetur në makinë e djegur një vare si dhe një shishe me benzinë.
Paraprakisht dyshohet se vareja do përdorej për të goditur blindin nëse nuk do të ishte i hapur. Gjetja e varesë në automjet ngre dyshimet se është i njëjti grup që ka realizuar edhe grabitjen e 3.8 milionë eurove në Kashar, dhjetorin e vitit te kaluar. Asokohe vareja shërbeu për të thyer blindin teksa grabitësit nën kërcënimin e armëve mundën të merrnin paratë dhe të largoheshin. Kujtojmë që një ditë pas ngjarjes, policia gjeti edhe një paruke të përdorur prej grabitësve.