Anëtarët demokratë të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi dhe ekspertët e opozitës, kanë nisur nga puna për shqyrtimin e 7 ligjeve shoqëruese të ndryshimeve të paketës kushtetuese.
Burime pranë PD thanë se pas porosisë së kryetarit Basha, demokratët po verifikojnë ndryshimet ligjore të cilat kanë kaluar në komisionin e posaçëm pa praninë e opozitës.
Ndërkaq mësohet se propozimi i ndërmjetës i zëvendës ndihmës sekretares amerikane të shtetit Viktoria Nuland, propozim ky që me sa duket nxjerr nga ngërçi palët politike, vijon të jetë në tryezën e dialogut politik mes maxhorancës dhe opozitës. Ndërsa negociatat vijojnë.
Është parashikuar që brenda të mërkurës të qartësohet qëndrimi i PD sa i përket operacionit ndërkombëtar ndërsa është pranuar tashmë nga maxhoranca komisioni ad hoc i PD e që është pjesë e propozimit të Nuland.
Mësohet se vendimin për propozimin e Nuland kryetari Basha do ta shpalosë këtë të mërkurë para deputetëve demokratë në mbledhjen e grupit parlamentar.
Deri të enjten palët politike pritet të bëjnë publike pozicionet e tyre për këtë çështje, ndërsa një ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se është pranuar paketa e propozimeve të PD për këtë reformë.