Prej dy ditësh mali i Shëngjinit ndodhet nën pushtetin e zjarrit. Dy vatra të reja zjarri që u shfaqën mëngjesin e sotëm kanë dalë jashtë kontrollit, duke iu afruar ndjeshëm edhe resorteve turistike në plazhin e Shëngjinit.
Flakët e zjarrit kanë shkaktuar panik te pushuesit, të cilët janë larguar menjëherë për shkak të tymit që mberriti deri në breg të detit. Era e fortë favorizoi përhapjen e shpejte të flakëve dhe ndryshimin e vazhdueshëm të drejtimit të tyre.
Pasi situata doli thuajse krejtësisht jashtë kontrollit, rreth ores 14 e 30 minuta, në zonë mbërriten helikopterët. Për të ndihmuar në shuarjen e flakëve në ndihme erdhen edhe helikopterë nga italia. Këtë e konfirmoi prefekti i Lezhës Eduart Ndreca, i cili foli për situatën në zonë.
"Situata është e ndërlikuar. Jemi që mbrëmë në terren. Ushtria dhe zjarrfikëset janë në terren. Dy helikopterë po operojnë nga ajri. Helikoptere dhe ndihme edhe nga Italia. Era është në disfavorin tonë. Jemi të sigurtë që banesat dhe hotelet nuk do të preken. Pushuesit dhe qytetarët janë të sigurtë. Çështja do ti kalojë prokurorisë. Vatrat e reja po lindin për shkak të erës. Nëse zjarri është i qëllimshëm do ketë ndëshkime. Banesat në mal janë të rrezikuara", tha prefekti i Lezhës Eduard Ndreca.