Kompania ARMO do t?i kthehet aktivitetit të rafinimit të naftës pas muajsh të tërë bllokimi të plotë. Kjo është bërë e mundur nga Ionian Refining dhe Trading Company, shoqëri që ka arritur të gjejë gjuhën e përbashkët me bankat kreditore të ARMO-s si dhe punonjësve të saj.
Lajmi është bërë publik nga bankers Petroleum, e cila ka bërë me dije se falë kësaj kompanie do të shesë në Shqipëri 65% të prodhimit vendas.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në QKR, Ionian Refining dhe Trading Company rezulton e regjistruar në Shqipëri më 29 prill të vitit 2016. Kompania është themeluar nga një shoqëri e regjistruar në Ishujt Virxhin britanikë, e njohur si parasjë fiskale. Përfaqësues ligjor i degës Shqiptare rezulton Taulant Musabelliu, ndërsa i kompanisë mëmë Ali Hasan Rahman.
Prej kohësh kompania ARMO është në një situatë tejet të vështirë financiare. Një pjesë e mirë e aseteve të saj rezultojnë të sekuestruara apo të nxjerra në ankand nga disa banka kreditore.
Sipas vlerësimeve, borxhet e ARMO-s arrijnë në total rreth 250 milionë euro, 200 milionë ndaj bankave, dhe rreth 50 milionë euro detyrime ndaj tatimeve. Aktualisht 85 % e kompanisë zotërohet nga një grup azer i quajtur Heni Asets dhe 15 % nga shteti shqiptar.
Grupi azer e bleu kompaninë nga Rezart Taçi, por u largua sërish pasi u njoh me situatën e borxheve të saj. Aktualisht vetëm njëra prej dy rafinerive të saj është në gjendje funksionale, por pa arritur as të mbulojë shpenzimet e pagave të punonjësve, të cilët kanë protestuar në vazhdimësi për shkak të mosshlyerjes së pagave.