Report TV - Sëmundja e rrallë po i merr jetën,s'ka mundësi të blejë ilaçin 11 mijë euro

Report TV 2016-09-27

Views 0

Një sëmundje e rrallë po i merr jetën 43-vjeçarit Engjëll Ismailaj.

Ai vuan nga sëmundja e njohur si Anderson-Fabri dhe për ta kuruar duhet të marrë një ilaç që kushton 11 mijë euro dhe këtë ilaç duhet ta blejë çdo muaj.

Kjo sëmundje i shkatërron 43-vjeçarit organet. Në pamundësi për ta blerë ilaçin, Engjëll Ismailaj i bën apel shtetit që ta rimbursojë medikamendin që i shpëton jetën.

43-vjeçari e ka të pamundur të përballojë jetesën, për shkak se ilaçet kushtojnë shumë, ndërkohë që ka dy fëmijë të cilët duhet ti rrisë.

Ai thotë se jeton vetëm me pensionin e invaliditetit prej 14 mijë lekësh që merr babai i tij dhe me këto lekë nuk plotëson dot as kushtet bazë për familjen.

Por fatkeqësia e familjes Ismailaj nuk mbaron këtu, pasi vajza 11 vjeçare e Engjëllit vuan nga e njëjta sëmundje që ka edhe babai i saj, ndërkohë që djali është autik.

Anderson-Fabri është një sëmundje e rrallë dhe sipas të dhënave Engjëlli është personi i vetëm i prekur në Shqipëri bashkë me vajzën e tij.

Në Itali me këtë sëmundje janë të prekur 3 persona, mes tyre edhe vëllai i 43-vjeçarit, gjë që tregon se është një sëmundje e cila trashëgohet.

Medikamenti që Engjëlli duhet të kurohet është Fabrazina dhe mund të blihet vetëm në një fabrikë në Gjermani.

Ky medikament, pavarësisht se përfshihet te sëmundjet e rralla, nuk rimbursohet nga shteti.

43-vjeçari bën apel që të rimbursohet, në mënyrë që ai edhe vajza e tij të kenë mundësi të jetojnë.

Share This Video


Download

  
Report form