Dhjetëra banorë të Tropojës dhe nga qytete të ndryshme të vendit, artistë si dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile protestuan sot kundër ndërtimit të 11 HEC-ve në Luginën e Valbonës. Tubimi i konceptuar si një koncert-protestë u organizua nga dy këngëtaret e njohura të muzikës xhaz, Eda Zari dhe Elina Duni.
Nga Valbona ata i thanë "Jo" HEC-ve, pasi ndërtimi i tyre shkatërron pasuritë e rralla natyrore të kësaj zone.
Në këtë tubim morën pjesë dhjetëra banorë të zonës, përfaqësues të Shoqërisë Civile si qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Nuk munguan edhe përfaqësues të politikës në mbrojtje të Valbonës si deputeti Ben Blushi dhe ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi.
Koncerti zgjati rreth dy orë, prej orës 16:00 e der në orën 18:00. Pas Valbonës, një koncert-protestë do të mbahet edhe në Tiranë në 30 Tetor ora 18:00 përballë Piramidës.