Moti i ftohtë dhe me reshje dëbore ka mbuluar pjesën më të madhe të vendit. Trashësia e borës ka arritur në 40 cm, në disa fshatra të qarkut të Dibrës.
Akset nacionale në këtë zonë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në zonat e thella si Selishtë, Lurë dhe një pjesë të fshatrave të Kalasë së Dodës rrugët janë të bllokuara . E njëjtë situate është edhe në Bulqizë ku problematike është aksi Q.Buall ? Krastë, e cila kalohet me vështirësi edhe me zinxhirë.
Në Kukës reshjet janë intensifikuar të mëngjesin e së mërkurës. Rruga e Kombit është e qarkullueshme. 10 mjete borëpastruese po punojnë nga tuneli i Kalimashit në Morinë, duke e mbajtur atë ne shtresën e asfaltit.
Reshje dëbore dhe rrugë të cilat kalohen më vështirësi raportohen dhe në qarkun e Shkodrës. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin zinxhirët.
Disa nga fshatra te thellë malorë të qarkut Elbasan tashmë ndodhen nën pushtetin e dëborës. Trashësia e dëborës në Stëblevë ka kaluar mbi 25 cm. Si pasojë e temperaturave të ulëta, në disa akse rrugore konstatohet borë dhe ngricë.
Moti i keq ka përfshirë dhe jugun e Shqipërisë. Në rrugët kryesore në Korçë dhe Gjirokastër ka akull në rrugë. Situata parashikohet të vijojë në përkeqësim gjatë 3 ditëve ardhshme, ku temperaturat pritet të arrijnë minus 13 gradë celsius./ TV KLAN