TIRANE-Shefi i Rendit të policisë së Vlorës Haki Hasanbegaj i arrestuar dy ditë më parë për shpërdorim detyre, dekonsipirim të operacioneve të policisë dhe kultivim narkotikësh rezulton në lidhje të ngushta me grupin e drogës të drejtuar nga Elton Çiço i vrarë më 1 Maj të vitit 2016 në një lokal në zonën e Bllokut në Tiranë.
Kjo lidhje është bërë publike nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila pas disa muaj hetime ka mundur të zbardhë mënyrën se si funksiononte ky grup dhe kontaktet që mbanin kultivuesit e kanabisit me drejtuesin e policisë.
Sipas hetimeve Hasanbegaj në kohën që ka mbajtur postin e shefit të komisariat të Tepelenës ka pasur kontakte me persona dhe grupe kriminale të cilët kultivonin lëndë narkotike.
Këtë të shtunë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Haki Hasanbegaj, Gani Abazin dhe Musa Bedinajn i cili rezulton se është dhe kreu i këtij grupi kriminal në cilësin e kultivuesit dhe organizatorit.
Përgjimet zbardhin bisedat me Çiçon e Hasanbegaj: Mos u shqetëso
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se Hasanbegaj, i cili deri në pranverën e vitit 2016 ishte në detyrën e Shefit të Komisariatit të Tepelenës, mbante kontakte të vazhdueshme me persona që kultivonin lëndë narkotike në atë zonë.
Madje, kur është larguar nga drejtimi i Komisarit të Tepelenës për në detyrën e Shefit të Rendit në Drejtorinë e Vlorës, duket se një pjesë e këtyre kultivuesve kanë shprehur shqetësimin për zëvendësimin e tij.